Gjykata Speciale ndez polemika në Kosovë: Pranon prova nga Serbia
Pranimi i provave të Serbisë nga Gjykata Speciale në Hagë ndez debat të ashpër në Kosovë, ringjall trauma të luftës, tension politik dhe sfida për drejtësinë tranzicionale.
Një vendim i fundit i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë për të pranuar dokumente si prova materiale nga institucionet shtetërore të Serbisë, përfshirë Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Shërbimin e Sigurisë Shtetërore, ka ndezur një valë të re kontestimesh politike në Prishtinë, duke rizgjuar plagët e papërpunuara të luftës së fundit dhe rolin kompleks të drejtësisë tranzicionale në shoqërinë kosovare.
Ministrja e Drejtësisë në detyrë, Albulena Haxhiu, reagoi me tone të ashpra në një deklaratë publike të shpërndarë më 31 korrik në facebook1:
“Ky zhvillim është thellësisht i papranueshëm. Institucionet në fjalë janë struktura të një regjimi që ka qenë përgjegjës për dhunë sistematike, krime lufte, zhdukje me forcë, gjenocid, spastrime etnike dhe represion brutal ndaj popullit të Kosovës.”
Reagimi i saj pason publikimin e një vendimi të datës 29 maj 2025 nga Trupi Gjyqësor i çështjes Thaçi dhe të tjerët, ku u pranua një grup dokumentesh, ndër to edhe ato që burojnë nga autoritetet serbe2. Paneli gjyqësor theksoi se, sipas Rregullës 138 të Rregullores së Procedurës dhe Provave të KSC, “provat pranohen nëse janë të rëndësishme, autentike, kanë vlerë provuese dhe kjo vlerë nuk është e tejkaluar nga ndikimi paragjykues i tyre.”
Kjo pikë u theksua edhe nga Angela Griep, zëdhënëse e Dhomave të Specializuara, në një përgjigje zyrtare për The Gunpowder Chronicles:
“Origjina e provave nga autoritetet serbe nuk përbën vetvetiu pengesë për pranimin e tyre. Paneli ka konstatuar se dokumentet janë të datuara, të vulosura, me numër protokolli dhe të nënshkruara pra, autentike. Por kjo nuk nënkupton se do të përdoren në aktgjykim.”
Një Konflikt i Vjetër me Rrënjë të Thella
Lëvizja Vetëvendosje (LVV), partia e Haxhiut dhe e Kryeministrit në detyrë Albin Kurti, ka pasur një histori të gjatë mospranimi3 ndaj Dhomave të Specializuara të Kosovës, të krijuara përmes Ligjit Nr. 05/L-053, të miratuar në Kuvendin e Kosovës në vitin 2015, në një kohë kur LVV ishte në opozitë.
Në atë kohë, LVV refuzoi të votonte në favor të krijimit të kësaj gjykate, duke argumentuar se ajo përbënte një padrejtësi selektive ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe një përulje ndaj kërkesave të bashkësisë ndërkombëtare që, sipas tyre, barazonin viktimën me agresorin.
Deklarata e Haxhiut në vitin 2025 është një vijimësi e këtij pozicioni ideologjik, por vjen në një moment kur vendi po përgatitet për zgjedhje të reja dhe është në një atmosferë politike të polarizuar.
Çfarë Lejon Ligji?
Megjithatë, përtej retorikës politike, ligji i miratuar nga Kuvendi i Kosovës që rregullon funksionimin e Gjykatës Speciale, në nenin 55 të Kapitullit VIII, parashikon qartë se:
“Dhomat e Specializuara mund të kërkojnë bashkëpunim ndërkombëtar nga çdo shtet, përfshirë Serbinë, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe marrëveshjet për ndihmë juridike.”
Pra, parlamenti i Kosovës e ka autorizuar Gjykatën që të pranojë dhe të kërkojë prova nga çdo burim, përfshirë edhe palët që kanë qenë pjesë e konfliktit. Kjo përfshin edhe dokumente nga institucionet serbe, për aq kohë sa ato plotësojnë kriteret e përmendura në rregulloren procedurale.
Drejtësia në Dy Plane: Pranueshmëria vs. Përdorimi
Zëdhënësja Angela Griep thekson një dallim të rëndësishëm që shpesh anashkalohet në debatet politike:
“Vendimi për të pranuar prova nuk është vendim për t’i besuar atyre, as për t’u bazuar në to. Paneli gjyqësor do të vendosë në fund të procesit, duke vlerësuar çdo provë në kontekst të të gjithë materialit të paraqitur gjatë gjykimit.”
Gjykata ka theksuar se mbrojtja ka të drejtë të kundërshtojë përmbajtjen dhe vlerën e çdo prove, përfshirë ato nga Serbia, përmes paraqitjeve me shkrim dhe argumenteve gjatë shqyrtimit gjyqësor.
Ndikimi mbi Viktimat dhe Perceptimi Publik
Në reagim ndaj shqetësimeve për ndjenjën e padrejtësisë dhe rihapjen e traumës për viktimat, Griep theksoi:
“Ka një njësi të specializuar për mbrojtjen e viktimave dhe dëshmitarëve. Ata marrin mbështetje psikologjike dhe përfaqësim ligjor. Nëse kanë shqetësime, mund t’i adresojnë përmes Këshilltarit të Viktimave.”
Analizë: Politikë apo Parim?
Reagimi i Haxhiut mund të shihet si një përpjekje për të artikuluar një ndjeshmëri historike dhe morale legjitime, por ai gjithashtu reflekton një qëndrim ideologjik të hershëm të partisë së saj ndaj Dhomave të Specializuara. Në prag të zgjedhjeve, nuk mund të injorohet as efekti i saj në opinionin publik, një mobilizim elektoral në një terren ku UÇK mbetet simbol i sakrificës kombëtare.
Në të njëjtën kohë, Gjykata Speciale, duke operuar mbi bazat e një ligji të miratuar në Kuvendin e Kosovës dhe duke zbatuar standardet ndërkombëtare të drejtësisë, vepron brenda mandatit të saj, me detyrimin për të garantuar një proces të drejtë, të paanshëm dhe të bazuar në prova, jo në perceptime.
Nga rruga tek Grenelli
Si OVL e UÇK4-së kaloi nga mbrojtja e idealit të çlirimit në aleanca pro-Serbe që e sfidojnë drejtësinë?
Ndërkohë që beteja ligjore zhvillohet në sallat e Gjykatës në Hagë, tensionet po ngrihen në rrugët e Prishtinës. Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ka paralajmëruar një protestë gjithëkombëtare më 7 gusht, ora 17:00, në Prishtinë5, në mbështetje të ish-luftëtarëve të ndaluar në Hagë. “Protesta është e domosdoshme për të kërkuar drejtësi dhe për të mbrojtur luftën e drejtë të UÇK-së,” tha Xhavit Jashari, përfaqësues i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, duke deklaruar se aktakuza ndaj ish-luftëtarëve është e padrejtë dhe e ndërtuar nga një gjykatë që “nuk duhet të kishte ekzistuar.”6
Megjithatë, ky aktivizëm publik i OVL-së vjen me një histori të errët e të diskredituar. Në maj të këtij viti, kjo organizatë i dërgoi një letër Richard Grenellit7, ish-emisarit të diskredituar të administratës së parë të Presidentit Trump për dialogun Kosovë–Serbi, duke kërkuar ndërhyrje për mbylljen e Dhomave të Specializuara, një akt që shumë e kanë parë si një tradhti morale ndaj idealit të UÇK-së dhe një përulje të turpshme ndaj forcave armiqësore të Kosovës. Në një analizë që publikova më 18 maj8, e quajta këtë veprim të OVL-UÇK-së si “Letra e Turpit”, duke argumentuar se kjo organizatë “e turpëroi luftën për liri, pasi e përqafoi një propagandist të Beogradit përkrah të cilit kërkon t’i mohojë viktimat e së vërtetës.”
Kjo protestë e 7 gushtit, që paraqitet si manifestim i mbrojtjes së çështjes së drejtë të luftës, rrezikon të maskojë një përpjekje për të minuar drejtësinë dhe për të amnistuar individë me akuza serioze për krime. E kaluara e afërt e OVL-së tregon se kjo organizatë nuk është thjesht një zë për veteranët, por është shndërruar në një aktor politik me agjendë të qartë për të penguar proceset e drejtësisë, duke bashkëpunuar madje me figura si Richard Grenell, i njohur për qëndrimet e tij pro-Serbe dhe përpjekjet për të delegjitimuar qeverinë demokratike të Kosovës përball agresionit të Serbisë.
Ndërkohë që KSC operon sipas ligjeve të Kosovës dhe e mbështetur nga komuniteti ndërkombëtar, organizatat si OVL e UÇK-së kanë kaluar nga roli i përfaqësuesve të një trashëgimie çlirimtare në mashtrues që përdorin atë trashëgimi si mburojë ndaj drejtësisë.
Në këtë klimë tensioni, ku gjykatat sfidohen nga rruga dhe historia përdoret si pengesë për të shmangur përgjegjësinë, sfida më e madhe e Kosovës nuk është më e kaluara, por e tashmja: a do të lejojë populli i Kosovës që të përdoret heroizmi si alibi për pandëshkueshmërinë, apo do të përqafojë një të ardhme ku drejtësia është e barabartë për të gjithë, edhe për ata që dikur ishin në ballë të lirisë?
Gjykata që Kosova nuk e donte, por e krijoi vetë.
Si u themelua Dhoma e Specializuar nën presion politik dhe hezitim kombëtar?
Dhomat e Specializuara të Kosovës (KSC) nuk lindën nga ndonjë imponim ndërkombëtar arbitrar, por si rezultat i një procesi të dhimbshëm dhe të polarizuar politik brenda vetë Republikës së Kosovës. Ato u krijuan në vitin 2015 me miratimin e Ligjit Nr. 05/L-0539, pas presionit të jashtëzakonshëm diplomatik nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, të cilat kërcënuan me tërheqje të mbështetjes ndërkombëtare nëse nuk garantohej një gjykatë që do të trajtonte akuza serioze për krime lufte dhe vrasje politike pasluftës, të përqendruara kryesisht rreth ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Udhëheqja e atëhershme politike, e dominuar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Presidenti Hashim Thaçi, loboi fuqishëm për miratimin e gjykatës. Deputetët që refuzuan të votojnë për themelimin e saj, përfshirë edhe nga radhët e koalicionit qeverisës, u përballën me presion të drejtpërdrejtë. Thaçi, në një deklaratë të ashpër nga viti 2015, i quajti ata “tradhtarë” dhe paralajmëroi se “do të mbajnë përgjegjësi para historisë” për kundërshtimin e tyre. Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), në atë kohë në opozitë, refuzoi ta mbështesë krijimin e Gjykatës, duke e konsideruar një mjet selektiv të drejtësisë ndërkombëtare që, sipas tyre, rrezikonte të barazonte viktimën me agresorin dhe të stigmatizonte luftën çlirimtare të Kosovës. Edhe pse KSC vepron si një gjykatë e Kosovës, me bazë ligjore në Kushtetutë dhe në ligjin e miratuar nga Kuvendi, ajo është transferuar në Hagë për shkak të dështimeve të brendshme për të siguruar një sistem të pavarur, të paanshëm dhe të sigurt për dëshmitarët. Në këtë ironi tragjike të historisë, Dhomat e Specializuara janë produkt i sovranitetit të Kosovës, por i një sovraniteti që u krijua për të hetuar dhe ndoshta ndëshkuar ata që dikur u panë si themelues të vetë atij shteti.
Mbështet gazetarinë e pavarur.
Abonohu te Revistën Spotlight për raportime të guximshme dhe pa kompromis.
☑ Dhuro | ☑ Abonohu | ☑ Ndaj artikullin
Brenda Komplotit për Shkatërrimin e Gjykatës Speciale
Ryshfeti që Zbuloi një Konspiracion: Në janar, një iniciativë mashtruese nga një përdorues i Facebook-ut me emrin "Laky Laky" u përshkallëzua shpejt përtej komplimenteve për punën time si gazetar. Ajo që filloi si lavdërim për raportimet e mia mbi manovrimet gjeopolitike, shpejt zbuloi një përpjekje të keqe për të komprometuar integritetin tim si gazeta…
Albulena Haxhiu's — Facebook Post.
Gjykata Speciale minon shtetin e së drejtës në Kosovë dhe e sulmon moralisht luftën tonë çlirimtare — Levizja Vetevendosje.
OVL-UÇK është shkurtesa për Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kjo organizatë përfaqëson ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), e cila luajti një rol të rëndësishëm në konfliktin e armatosur të fundviteve 1990, me synimin për pavarësinë e Kosovës nga Serbia. OVL-UÇK angazhohet për të drejtat dhe njohjen e veteranëve të luftës, merr pjesë në diskursin publik për çështje kombëtare dhe ka qenë aktive në reagimin ndaj zhvillimeve juridike dhe politike që prekin anëtarët e saj.
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së's — Facebook Post.
OVL-UÇK i dërgon letër Grenellit, kërkon të mbyllet Gjykata Speciale — KOHA Ditore.
Letra e Turpit: OVL e UÇK-së i dorëzohet Grenellit
OVL e UÇK-së i lypi drejtësi armiku të saj. E turpëroi luftën për liri, e përqafoi një propagandist të Beogradit dhe kërkon t'i mohojë viktimat e së vërtetës. — SPOTLIGHT.
LIGJI Nr. 05/L-053 PËR DHOMAT E SPECIALIZUARA DHE ZYRËN E PROKURORIT TË SPECIALIZUAR — Kuvendi i Republikës së Kosovës, Gazeta Zyrtare.