Debati që Flaka Surroi Nuk Donte ta Shihnit
Falë Nexha Gjemës, sot publikohet programi dikur i censuruar, një fitore për llogaridhënien dhe integritetin gazetaresk. Ajo që shihni sot, F. Surroi e kishte fshehur nga ju për një vit.
Në një mbrëmje të vonë vere në Prishtinë, në shtator të vitit 2024, një studio televizive mblodhi tre persona për të diskutuar një temë që kurrë nuk do të duhej të ishte kontestuese, por që disi gjithmonë del e tillë: etika profesionale në gazetari. Biseda, e regjistruar për “Tabu me Nexhën” në KTV1, ishte e kujdesshme, e matur dhe mbi të gjitha në shërbim të publikut. Në të morën pjesë gazetari veteran i sportit Agim Kasapolli, moderatorja mendimtare e programit Nexha Gjema dhe unë. Për më shumë se një orë folëm hapur për atë çfarë një gazetar i detyrohet audiencës, çfarë një redaksi i detyrohet të vërtetës, dhe çfarë një shoqëri i detyrohet vetë sigurisë së saj kur informacioni është vija e parë e mbrojtjes. Nuk kishte përmbajtje nxitëse; ishte program dhe bisedë e përgjegjshme. Dhe pastaj nuk u transmetua.
Disa javë më vonë, teksa përgatitesha për të raportuar jashtë vendit, udhëheqësia e KTV-së (nëpërmjet zonjës Gjema) më tha se episodi ishte ndaluar, me arsyetimin se unë isha “i njohur për lajme të rreme.” Akuza u bë pa prova dhe pa asnjë mundësi përgjigjeje. Shkrova, përsëritshëm, duke kërkuar arsyetim.
“Si profesionist i medias,” shpjegova në shënimin tim të parë më 5 tetor kur i shkrova Flaka Surroit, “do t’ju isha mirënjohës nëse mund të sillnit prova që mbështesin këtë pretendim… Kuptimi i bazës së kësaj deklarate nuk do të më ndihmonte vetëm mua, por edhe publikun, i cili mbështetet në integritetin e medias.”
Asnjë përgjigje nuk erdhi. As për kërkesat e mia të një-pas-njëshme më 14 tetor dhe 19 dhjetor. Heshtja mund të jetë elokuente por, mund të jetë edhe shmangie.
Ajo që pasoi nuk ishte një grindje private, por një pyetje publike: kush vendos çfarë ka të drejtë të shohë publiku? Dhe mbi çfarë bazash një transmetues mund të fshijë një debat të kujdesshëm mbi etikën, sidomos kur arsyeja e vetme e dhënë është një njollë e paverifikuar? Në “Flaka Surroi dhe Heshtja që Flakë përgjegjësinë Etike” (23 Dhjetor 2024)2, shkrova se akuzimi i një gazetari për rrejshmëri “është një tentativë për vrasje profesionale.” Nuk ishte figurë retorike. Në një treg të vogël mediatik, ku hyrja kontrollohet dhe etiketat ngjiten, të quash një reporter “falsifikator” pa prova nuk është thjesht shpifje; është ndëshkim. Është sinjal për të tjerët se disa pyetje do të ndëshkohen dhe disa emra, bashkë me raportimet e tyre, duhet të izolohen nga hapësira publike.
Përderisa modeli i izolimit po bëhej i dukshëm, në shkurt të këtij viti, pas një debati publik për demokracinë dhe standardet e medias, ftesa ime drejtuar Flaka Surroit për një debat të hapur i publikuar në rrjetin social facebook u fshi nga ana e saj; më pas Flaka Surroi më bllokoi. “Ajo nuk dha kundërshtinë e saj me fakte. Nuk u angazhua si profesioniste e detyruar të nxisë dialogun,” shkrova në “Flaka Surroi dhe Arti i Heshtjes së Mospajtimit” (8 Shkurt 2025)3. “Thjesht e fshiu nga ekzistenca përpjekjen për debat. ”
Vogëlsi në ekzekutim, po; por domethënëse në kuptim. Fshirja e një kritike të sjellshme nga një gazetar nuk është moderim, është mesazh për kontroll.
Ironia, e rëndë dhe e dukshme, është se pikërisht episodi i “Tabu”-së që u shtyp me të dy këmbët i ishte përkushtuar mekanizmit të brishtë të pavarësisë redaksionale. Shikuesit do ta kishin dëgjuar, në shqipe të pastër, se etika nuk është një abstraksion i mjegullt. Është një varg vendimesh praktike nën presion. Gjatë programit e kujtova një çast shembulli gjatë raportimit të luftës civile në Rep. Arabe të Sirisë, ku vetëm pak minuta pas një bombardimi qeveritar, kur instinkti për të dokumentuar u përplas me dinjitetin e një nëne të plagosur e të pikëlluar. “Ishte një dilemë e vërtetë nëse ta transmetonim fotografinë,” i thashë Nexhës. Pas konsultimit me redaksinë, e publikuam, sepse vuajtja nuk ishte vetëshkaktuar; ishte pasojë e drejtpërdrejtë e dhunës së shtetit, dhe bota duhej ta shihte për t’i kuptuar pasojat e politikës. Vendimi ishte i ngadalshëm, kolektiv dhe i përgjegjshëm. Kjo është etika.
Në Kosovë, kjo etikë nuk është teorike. Ajo ndërthuret me sigurinë kombëtare, me ndikimin e jashtëm dhe me detyrën e pambaruar për ndërtimin e një kulture qytetare që i reziston manipulimit. “Gazetaria profesionale,” thashë në transmetim, “kërcënohet nga interesat korporative, partitë politike dhe aktorë të pa kualifikuar që kanë kolonizuar median për të avancuar agjenda private.” Këto që i thashë nuk ishin vajtim; ishte një përshtypje që e kisha ndërtuar në saje të një strukture të dukshme gjatë vëzhgimeve të mia ndaj atmosferës së medias në Kosovë. Një trup rregullatori që dështon të rregullojë, një shumim portalesh me financim të paqartë, një profesion i zhvlerësuar nga ata që duan prestigjin pa detyrime.
Gazetari Kasapolli e tha më hapur: se hapësira mediatike në Kosovë është e mbushur jo me analizë, por me “klientelë” zhurmuese, panele të ricikluara dhe një fiksim te futbolli në kurriz të edukimit qytetar. Kur gjithçka është koment, asgjë nuk është llogaridhënie, përfundoi ai.
Pjesa më e pakëndshme e asaj bisede dhe ndoshta arsyeja pse duket se i frikësoi ata që e duan etikën si titull, por jo si standard, ishte se ne refuzuam të pretendojmë se Ballkani është i izoluar nga gjeopolitika e dezinformimit. Folëm për mënyrën se si demokracitë perëndimore, të përballura me propagandën e Kremlinit gjatë pushtimit rus në Ukrainë, bënë lëvizje të shpejta për t’i kufizuar kanalet shtetërore të medias së Moskës dhe të tjera të dizajnuara për destabilizim. Pyetëm pse Kosova duhet të tolerojë përfaqësues vendas të narrativave armiqësore të maskuara si gazetari dhe analizë e pavarur. Diskutuam se si ndikimi i huaj blen gojë vendore për t’i dhënë zë strategjive politike armiqësore kundër sigurisë kombëtare të Republikës së Kosovës. Sugjeruam zgjidhje: financim transparent, guxim për rregullime ligjore dhe një akademi gazetarie që ua mëson etikën dhe standardin profesional si qëllim para famës. Nuk ishte radikalizëm. Ishte mirëmbajtje.
Deri në shkurt, debati ishte bërë më i madh e më i mprehtë. Në kritikën time “Gazetari apo Mashtrim? Rasti i KOHA Ditore” (5 Shkurt 2025)4, dokumentova se si një media kryesore iu referua postimeve në rrjete sociale të Richard Grenell dhe Donald Trump Jr. si reagime të »“komunitetit ndërkombëtar5”« një shtrembërim aq i hapur sa që zhdukte dallimin mes gabimit dhe propagandës. “Të etiketosh Richard Grenell… dhe Donald Trump Jr., një biznesmen i pa zgjedhur pa asnjë rol zyrtar qeveritar, si përfaqësues të ‘komunitetit ndërkombëtar’ nuk është vetëm faktikisht e pasaktë, por intelektualisht e pandershme,” shkrova unë. Asnjë redaksi serioze për publikun e vet nuk do ta ngatërronte një rrjedhë partiake me një konsensus multilateral. Por shkrimi doli, dhe trillimi u përhap.
Nuk ishte një rrëshqitje e izoluar. Në artikullin “Kosova në Krizë: A po Inxhinjeron Grenell një tjetër Grusht Politik?” (11 Shkurt 2025)6, ndoqa një recetë tashmë të njohur: alarmizëm i orkestruar, piskamë selektive dhe një kor i aktorëve lokalë të gatshëm për t’i shpërlarë pikat e temës si raportim. Modeli ka histori të dokumentuar, dhe objektivat e tij nuk janë të panjohura. Vëzhgimet e mia ishin të kjarta, se për destabilizimin e një qeveri reformiste nuk ju duhen tanke; ju duhen transmetues që do ta ngatërrojnë presionin me politikën dhe cicërimat me traktatet. Pasojat janë reale: besimi publik gërryhet, institucionet duken të pafuqishme dhe qytetarët mësohen të mendojnë për sovranitetin e tyre si diçka të përkohshme.
Në këtë sfond shtrihet vendimi i KTV-së për ta varrosur një program që flet dhe e mëson qytetarin për etikën. Pyetja nuk është nëse një drejtuese sikur Flak Surroi gaboi në një vendim. Pyetja është pse një diskutim i thjeshtë, i arsyetuar butësisht mbi standardet, burimet, verifikimin, konfliktet e interesit, sigurinë, u trajtua si kërcënim. Çfarë ka kaq kërcënuese në të treguarit publikut se si duhet bërë gazetaria, saqë duhet t’u mohohet atyre e drejta për ta parë? Pse një drejtor do të duhej të ndërhynte për të mos lejuar që shikuesit të dëgjojnë një veteran dhe një reporter lufte që përshkruajnë zanatin në formën e tij më të kujdesshme? Nëse kishte shqetësime reale për besueshmërinë time si profesionist, përgjigjja e duhur do të duhej të ishte elementare: paraqitni provat, jepni të drejtën e përgjigjes, ose organizoni një debat vijues. Asgjë nga këto nuk ndodhi. Në vend të kësaj, pati një akuzë pa prova, një refuzim për t’u angazhuar, dhe një episod të mbyllur në sirtar deri këtë muaj, kur më në fund doli, një vit pasi moderatorja dhe autorja kishte vendosur të largohej nga televizioni KTV.
Pjesa që të ngrin gjakun nuk është ndalimi i këtij transmetimi; është arsyetimi që ky vendim e nënkupton. Nëse arsimi etik censurohet, çfarë tjetër censurohet? Nëse akuza për “lajme të rreme/fake news” mund të ngrihet pa asnjë citim e pa dëshmi, kush tjetër mund të përjashtohet? Nëse një program mbi detyrën profesionale trajtohet si rrezik politik, kujt po i shërben kjo? Këto nuk janë pyetje abstrakte. Në një demokraci të vogël me një ekosistem mediatik të ri, vija mes guximit redaksional dhe kapjes redaksionale është e hollë. Publiku e dallon ndryshimin. Ai gjithashtu e kupton kur pushteti preferon media të bindura mbi ato kritike.
Kam qenë i akuzuar, së fundmi e shpesh, se jam “i ashpër.” E pranoj akuzën. Por pyetjet e vështira nuk janë stil; janë përgjegjësi. Kur një botues i njohur sikur Flaka Surroi e fshin një ftesë të kulturuar për debat dhe e bllokon autorin, publiku meriton ta dijë pse. Kur një gazetë ngatërron mesazhet partiake me “komunitetin ndërkombëtar,” lexuesit meritojnë një shënim të redaktorit, jo një tërheqje supesh. Kur një transmetues shtyp një bisedë mbi standardet që do ta mbronin vetë nga manipulimi, shikuesit meritojnë një shpjegim. Zgjedhja për të mos dhënë një është vetë një përgjigje.
Është tundim, në momente të tilla, të biesh në cinizëm ngushëllues të thuash se të gjitha mediat kudo janë të kompromentuara dhe se nuk mund të pritet gjë më e mirë. Kjo është alibi, jo analizë. Në bisedën tonë në “Tabu me Nexhën” folëm për parimet e para: se të treguarit e së vërtetës është veprim; se balanca është më shumë se aritmetika e “të dyja palëve”; se siguria e burimeve, e komuniteteve, e rendit politik duhet të udhëheqë gjykimin pa shtrembëruar faktin. Folëm për nevojën e një Komisioni të Pavarur të Medias që është i pavarur në vepra, jo vetëm në emër; për transparencë financiare që është rutinë, jo rezistencë; për shkolla gazetarie të mbështetura nga praktikues; dhe për redaktorë që e dinë se pjesa më e vështirë e punës është t’u thuash “jo” ndaj atyre që presupozojnë se mund ta blejnë një “po.”
Nëse kjo i bën disa pronarë të ndihen në siklet, aq më mirë. Gazetaria nuk është terapi për të fuqishmit. Është vëzhgim, përmasë, durim dhe, kur është e nevojshme, refuzim. “Duke u bazuar mbi reagimet e pamatura të individëve politikisht të komprometuar, dhe duke i quajtur ata si komunitet ndërkombëtar” shkrova në shkurt, “KOHA Ditore ka zgjedhur rrugën e dezinformimit.” Ajo fjali nxiti zemërim. Nxiti gjithashtu lexues që e dinë se gjuha ka rëndësi dhe se fraza “komuniteti ndërkombëtar” nuk mund të shitet tek rrjeti më viral. Saktësia redaksionale nuk është pedantizëm; është e mirë publike dhe obligim etik.
Kjo na lë me një përfundim të thjeshtë mbi udhëheqjen. Ata që censurojnë etikën nuk synojnë të udhëheqin me të. Ata që refuzojnë të mbështesin akuza nuk synojnë të takohen me prova. Ata që kurorëzojnë debatin publik përmes heqjes nuk synojnë ta kultivojnë mendimin kritik; ata synojnë t’i mbyllin të gjitha këto. Të tillë njerëz nuk duhet të drejtojnë shtëpi të informimit. Jo sepse mbajnë opinione të gabuara, por sepse mbajnë ide të gabuara për shtypin. Ata ngatërrojnë pronësinë me kujdestarinë dhe arritjen me drejtësinë. Trashëgimia e tyre është një audiencë e argëtuar, por e paarmatosur; një shesh publik ku zhurma zëvendëson verifikimin; një rend publik e politik më pak i aftë për ta mbajtur pushtetin para llogaridhënies.
Tani të dashur lexues e keni bisedën që ju ishte mohuar ta shihni në vit më parë. Shikojeni, dhe pyesni veten se çfarë, saktësisht, arsyetoi shtypjen e saj. Pyetni kush përfiton kur një diskutim i qetë mbi standardet profesionale kthehet në rrezik. Pyetni pse, kur u paraqit një kërkesë e thjeshtë »“tregoni provat”« Flaka Surroi zgjodhi heshtjen. Pyetni nëse problemi është një vendim i vetëm, apo një sistem ku shumë roje portash parapëlqejnë të menaxhojnë perceptimin sesa të përballen me faktet.
Shërimi i kësaj kalbësie nuk vjen përmes gjesteve dramatike, por nga një disiplinë e përditshme dhe e thjeshtë e gazetarisë së bërë siç duhet: kontrolli i burimeve, gjurmimi i financave, ekspozimi i konflikteve të interesit, korrigjimi i gabimeve dhe pranimi i kritikave. Kjo nuk është rruga më e lehtë, por është rruga e së vërtetës dhe e përgjegjësisë. Ajo e ngre audiencën pa e përkëdhelur, forcon imunitetin ndaj manipulimit dhe e bën më të vështirë edhe pse jo të pamundur që narrativat mercenare të pushtojnë lajmet.
Nëse profesioni ynë ende do të thotë atë që themi se do të thotë, atëherë ky episod duhet të jetë mësim, jo vetëm zemërim. Herën tjetër që një redaksi përballet me presion për të varrosur një program mbi etikën, standardi nuk mund të jetë komoditeti. Duhet të jetë guximi. Dhe herën tjetër që një botues kërkon ta shtypë butonin e bllokimit në vend të përgjigjes, publiku duhet ta regjistrojë zgjedhjen për atë që është: jo vendosmëri, por frikë e përulje përball errësirës.
Kjo që për një vit u fsheh nga ju. Shiheni tani. Dhe kërkoni një media që ju respekton dhe drejtues që udhëheqin me guxim, jo që që ulin kokën përball fakteve, përball errësirës.
Tabu me Nexhën YouTube Channel.
Flaka Surroi dhe Heshtja që Flakë përgjegjësinë Etike
Censura mbase mund ta hesht të vërtetën, por e vërteta nuk hesht! Kush ka frikë nga diskutimet mbi etikën dhe gazetarinë e pavarur në Kosovë? — KB Vëzhgimi mbi Median.
Flaka Surroi and the Art of Silencing Dissent
Flaka Surroi preaches democracy but silences dissent. When media gatekeepers delete criticism instead of debating it, is it journalism, or just another tool of power? — The GPC Media Watch.
Gazetari apo Mashtrim? Rasti i KOHA Ditore
KOHA Ditore ka zgjedhur propagandën mbi të vërtetën, duke ngatërruar mashtrimin me gazetarinë dhe duke shkatërruar besimin e lexuesve të saj në media. — KB Vëzhgimi Mbi Median.
“Bashkësia ndërkombëtare, e bashkuar kundër Kurtit” - Djali i Trumpit shpërndan postimin e Grenellit — KOHA Ditore.
Kosovo in Crisis: Is Grenell Engineering Another Political Coup?
From diplomacy to disinformation, Grenell resurfaces, fuelling chaos in Kosovo’s elections with the same tactics that toppled Kurti’s government in 2020. — The GPC I Unit.