Fytyra që Qesh mbi Dhimbjen e Babait
Ai që dikur derdhte ujë mbi plagët e babait, sot u shërben atyre që ia rrahën babain. Ai e tall të vërtetën përmes heshtjes. Ai është Berat Buzhala.
Në një kohë kur fjala duhet të jetë dritë dhe pena duhet të lëmojë të vërtetën si skalitje në mermer, ai zgjodhi baltën. Ai, Berat Buzhala, dikur një emër që endej midis politikës dhe gazetarisë si një hije që s’përcakton dot vetveten, sot nuk është gjë tjetër veçse një mbetje akustike e një salle që ka kohë që është boshatisur nga dinjiteti.
Në një botë të qytetëruar, nuk mund të ketë vend për ata që, si Buzhala, lëvizin si skiftera mbi kufoma morale, duke përqeshur ndjenjën, duke poshtëruar shpirtin njerëzor, e duke e bërë gazetarinë zarf për propagandë, megafon për urrejtje, dhe pretekst për frikësim kolektiv.
Ai që dikur kërkonte të ngjitej në kështjellat e së vërtetës me maskën e gazetarit, sot zbret si rrugaç me celular në dorë, duke u tallur me vargje të një ndjenje të brishtë, të shkruar për dashurinë e njeriut me integritet, siç vetëm një shpirt që ka ndjerë mund të shkruajë. Dhe si për t’ia shtuar shëmtinë kësaj shfaqjeje, turma e tij, një bandë maskash e konteshave të krimit dhe të frikës, vërsulen me komente që dëshmojnë jo vetëm mungesën e njerëzores, por edhe kalbëzimin e mendjes.
Sikur të ishte vetëm injorancë, do të kishim mëshirë. Por jo, ajo që ndodh në komentet e orkestruara nga Buzhala e “burrat” e tij të WhatsApp-it është akt i një përbindshi, një kanibalizëm publik i moralit. Është një gjuhë që rrjedh nga i njëjti gyp kanalizimi ku fshihet edhe vetë ai: ofendime primitive, përqeshje të një ndjenje të dhimbshme, e bile përpjekje për ta seksualizuar një dhimbje shpirtërore si një çetë që i hidhet një trupi të plagosur.


E ç’mund të presësh nga një njeri që e ka kthyer median në një makinë larëse të parave të pista, të ndërmarrjeve të përbashkëta kriminale që vrasin politikanë, aktivistë e gazetarë, një njeri që flet për liri shtypi ndërkohë që financohet nga figurat më të errëta të krimit të organizuar ballkanik?1 Ky është njeriu që i jep mikrofonin e redaksive të tij Artan Grubit, e lavdëron të sanksionuarin e kriminelin Zvonko Veselinoviq, duke i lejuar hijet e Kremlinit të vërshojnë mbi trojet shqiptare me bekimin e tij propagandistik.
Ai është vetëm fizikisht këtu. Mendërisht dhe moralërisht është larg, i tretur në botën e padijes, në korridoret e errëta të kompromisit, ku ndershmëria nuk shitet sepse nuk njihet, ku fjala “e vërtetë” shkruhet gjithmonë me presje, kurrë me pikë.
Në një përpjekje të mjerueshme për të relativizuar pyetjet mbi lidhjet e tij me figura të sanksionuara nga SHBA, ai s’pati as kurajën të shfaqej me argument. U përgjigj me batuta banale dhe ofendime që do turpëronin edhe një rrugaç të lagjes. “Ik bre budalle,” tha ai, pa e kuptuar se budallallëku i vërtetë është të mendosh se me të qeshura do mbulosh erën e krimit dhe trishtimit që e ka shndërruar gazetarinë në parodi.
Tashmë, ai ka mbetur vetëm me të tijët, që nuk janë kolegë, as mendimtarë, e as gazetarë. Por bandë. Një bandë prej injorantëve, e frikacakëve, e llogarive të rreme që kanë nevojë për t’u fshehur pas maskës, sepse pa të ata nuk guxojnë të thonë asgjë. Në këtë koalicion të pështirë midis padijes dhe urrejtjes, Buzhala nuk është udhëheqës. Ai është simbol i rënies2. Dhe jo një rënie tragjike si e heronjve antikë. Por një rënie pa dinjitet3. Një përplasje në baltën që vetë ai e ka krijuar, ku tallja me ndjenjat është normë, e përqeshja e dhimbjes është art.
Përfundimisht, nuk është çudi që ai qesh me poezinë. Ç’kupton ai nga ajo? Ai nuk ka njohur kurrë thellësinë e fjalës së shkruar. Ai ka folur gjithmonë me zë të lartë, sepse ka pasur frikë nga heshtja, ajo që të detyron të reflektosh. Në atë heshtje që i mungon, i është humbur edhe njeriu brenda tij. Dhe ka mbetur vetëm një figurë groteske, një relikë e një kohe kur krimi vishte kollare dhe thoshte: “Unë jam media.”
Jo, z. Buzhala, ti nuk je media. Ti je një faqe e grisur e librit që historia do ta shkruajë pa mëshirë. Dhe ne, që shkruajmë për të vërtetën, nuk do ta lexojmë më. Jo se kemi frikë, por sepse je bërë i pavlerë. Një zë i shuar që gumëzhin në errësirën e vet.
Në fund të fundit, edhe balta, me gjithë shëmtinë, mbart jetën. Por ti, me gjuhën tënde prej talljeje të lehtë e të shitur, je bërë thjesht shkrumb. Dhe askush s’frymëzohet nga hiu.

Nga ujë për babanë, te vodka për kriminelët
Nëse ky tekst dhe mesazhet e mia të duken të rënda, Berat, është sepse e vërteta që ke shmangur me vite të tëra më në fund të ka zënë në grykë. Jo për t’u hakmarrë, por për t’u kujtuar se çdo gënjeshtër që ke ndërtuar, çdo tallje që ke hedhur si pluhur mbi dhimbjen e të tjerëve, e ka një çmim. Dhe çmimi i asaj që ke bërë, apo nuk ke guxuar kurrë të bësh, nis në pragun e shtëpisë tënde.
Ti, që sot lavdëron klanet e krimit, dikur ecje orë të tëra këmbëzbathur për t’i çuar ujë babait tënd që vdiste nën dhunën e tyre. E tani, punon po për ata që e rrahën babanë tënd. E tani, flet për ‘media’ përkrah njerëzve që do ta kishin parë babain tënd të vdiste, me buzëqeshje dhe dosje nën sqetull. A nuk të dhemb, Berat, asgjë nga kjo? Apo dhimbja është një luks për ata që nuk e kanë çmimin tënd?
Ti nuk je thjesht një njeri që ka zgjedhur të heshtë. Ti je bërë vegël e zëshme e atyre që ua shite kujtimin e babait tënd. Dhe në vend që të kërkosh drejtësi për të, dhe për gjithë të tjerët që u zhytën në errësirën e torturave dhe zhgënjimeve, ti qesh. Qesh ndërkohë që ende mbijetojnë ata që e dinë kush ishe, jo ai që je sot, por ai djalë që derdhte ujë në një bidon dhe e mbante pranë kraharorit të babait, që të mos ftohej rruga e shpresës.
E tani, je bërë zëdhënës i atyre që i kanë duart e lara me lotët e atyre që ti u detyrove t’ua ndash dhembjen. Ti nuk je më thjesht një mashtrues me laps në dorë. Ti je tradhtari i fundit, më i dhimbshmi. Sepse e shet dhimbjen jo për mbijetesë, por për ndikim. E shet babain tënd çdo herë që e përqesh një dëshmitar. E shet çdo fëmijë që ka humbur një prind, sa herë mbron kriminelë që i kanë emrat në dosje dhe pasaportat në Beograd.
Ti sot i detyrohesh historisë, jo vetëm si një burrë, por si biri i një burri që u përkul për të ngritur një të ardhme për ty. Dhe ti këtë përulje e shite për një pagesë mujore dhe një kolltuk në një studio propagande. A nuk të flet ndërgjegjja, as sot, teksa i lexon këto rreshta, vetëm, me ekranin në dorë dhe hijet e heshtjes mbi shpinë?
Sepse ti nuk je viktimë, Berat. Ti je zgjedhje. Zgjedhja për të shkelur mbi eshtrat e një brezi, për të mbuluar krimin me buzëqeshje, për të bërë shkrumb kujtimin e atyre që të rritën. Dhe tani, edhe nëse do të pendoheshe, zëri yt s’do të dëgjohej më si rrëfim, por si ulërimë që vjen vonë.
Dhe nëse ka drejtësi, nuk do të vijë përmes emoji-ve të tua, as përmes audiencave të orkestruara. Do të vijë nga ata që ti i ke harruar, por që të mbajnë mend, fillimisht babai yt. Dhe pastaj të gjithë ata që, ndryshe nga ti, nuk e shitën asnjëherë kujtimin.
Mbështet gazetarinë e pavarur.
Abonohu te Revistën Spotlight për raportime të guximshme dhe pa kompromis.
☑ Dhuro | ☑ Abonohu | ☑ Ndaj artikullin
Gazetaria Mercenare: Roli i Berat Buzhalës në Destabilizimin e Demokracisë së Kosovës
Berat Buzhala, një ish-politikan i kthyer në magnat mediatik, ka qenë për një kohë të gjatë një figurë kontroverse në Kosovë. Lidhjet e tij të thella me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe kalimi i tij në botën e medias janë shënuar nga akuza të vazhdueshme për korrupsion, manipulim dhe lidhje të dyshimta. Ndër lidhjet më shqetësuese është ajo me
Berat Buzhala, Listat e Zeza të SHBA-së dhe Kërcënimi i Sigurisë Kombëtare
Lidhjet e Berat Buzhalës me figura të sanksionuara nga SHBA, si Grubi dhe Veselinoviq, zbulojnë një rrjet të rrezikshëm manipulimi mediatik dhe kërcënimesh për sigurinë kombëtare të Kosovës. — Hulumtimet e Spotlight.