Kur Retorika Maskohet si Gazetari: Rasti Mehmetaj
Narrativa e Mehmetajt është shpifarak dhe retorikë polemike: damkosje, pa prova, pa balancë. Jo gazetari, jo kritikë, vetëm diletantizëm i zhveshur publikisht.
Më 10 shtator 2025 botova analizën time1 për trajtimin mediatik të sulmeve të Banjës në veriun e Mitrovicës2, pasi kisha matur pulsin e publikut3 dhe pastruar shënimet nga burime e dokumente që lidhnin narrativën me faktet. Më 14 shtator hasa në videon e Lirim Mehmetajt4, një tekst që e prezanton veten si kritikë profesionale e një prodhimi të Top Channel me Grida Dumën5. E shikova disa herë, jo për ta gjetur gabimin rastësor, por për të parë a qëndronte ndonjë skelet metodologjik mbi të cilin mund të mbështetet një kritikë serioze. Nuk gjeta të tillë. Ajo që gjeta ishte një narrativë e shkruar për të ndërtuar një perceptim, jo për të provuar një tezë; një narrativë shpifarake6 me elemente retorike, asgjë që mund të quhet gazetari.
Kritika profesionale ka një disiplinë të vetën: sulmon tezën, jo personin; e ndan faktin nga opinioni; e vërteton pretendimin para se ta përdorë si levë retorike; e mat fjalën me peshë dhe jo me temperament.
Narrativa e Mehmetajt e përmbys këtë rend. Fjalori i tij është instrument kryesor i tekstit dhe instrumenti është martelé7: “shtëpia e mafies së incineratorëve Top Channel-it”, “model i gaztarisë artificiale”, “Akademia Qesharake”, “torollakëri e Sveçlës”, “diskurs mediokër”, “mashtrues të kombit”.
Ky nuk është kornizim kritik, është damkosje. Gjuha nuk i shërben sqarimit të metodës së “reportazhit”, por delegjitimimit të figurave që i paraprijnë asaj. Në këtë terren, as pyetjet legjitime nuk bëhen dot: ato fundosën bashkë me epitete.
Nuk ka gazetari pa provë. Teksti ngre akuza të rënda si kapje oligarkësh, propagandë qeveritare, gënjeshtra të qëllimshme, madje edhe “komplot antishtet”, por pa dokument, pa referencë, pa citim burimesh të pavarura. Rasti i Ujmanit shërbehet me ironi, jo me akt, vendim, datë; pretendimet për “huajësim të historisë” shpallen si të vetëkuptueshme; diferenca mes “sulm terrorist” dhe “agresion ndërshtetëror” përdoret si trampolinë për përfundim politik, jo si një nyje analitike që kërkon standarde të së drejtës ndërkombëtare. Çdo herë që duhej një provë, kemi një bindje; çdo herë që duhej një burim, kemi një shpotitje nga narratori.
Mungesa e provës shkon krah për krah me zhvendosjen e fokusit nga vepra te persona. Grida Duma trajtohet si objekt moral e tregtar, jo si autore e një produkti që duhej matur me metra gazetareske: strukturë, burime alternative, pyetje sfiduese, kontekst historik. Biletat “59–99 euro” citohen për të ndërtuar një profil karakteri; “dështoi në politikë” për të paraprirë diskreditimin; lidhje të treta futen si jehona për të rritur volumin e dyshimit. Kjo është klasike për një produkt shpifarak: kur vepra nuk e mban dot barrën e akuzës, akuzohet njeriu.
Pra, një kritikë serioze, edhe kur është e pamëshirshme, u jep lexuesve vijën e qartë ndarëse mes asaj që u tha në material dhe asaj që autori i kërkon materialit të thotë; mes asaj që pamë dhe asaj që mungoi.
Në analizën time të 10 shtatorit kam kërkuar pikërisht këto standarde: kontekst historik i veriu-t si vijimësi, burime të pavarura përtej autoriteteve, pyetje të verifikimit të fortë për ministrin, sqarim i rolit të Tiranës zyrtare në kornizimin e krizës, dhe portretizim i saktë i rolit shtetëror të Milan Radojiçiqit, jo reduktim në figurë groteske. Këto janë kushte minimale për një produkt që pretendon dokumentarizim. Narrativa e Mehmetajt i njeh në kalim disa nga këto boshllëqe, por vetëm si pretekst për të zmadhuar sulmin personal. Kjo nuk është metodë gazetareske; është manovër politike.
S’ka asnjë përpjekje për balancë. Asnjë paragraf që thotë: “këtu emisioni qëlloi objektivin”, “këtu ka një saktësi faktike”, “këtu, pavarësisht toneve, pamja shërben si dëshmi”. Një kritikë profesionale, veçanërisht kur sheh dobësi të mëdha, gjen edhe një gur që nuk e rrëzon, për t’i treguar lexuesit apo shikuesit në këtë rast se gjykimi buron nga matja, jo nga mëria. Në vend të kësaj, narrativa që e flet zt Mehmetaj e zgjeron objektivin si në tunel: gjithçka dhe kushdo i bashkangjitet tezës së parapërgatitur nga emërtimet tallëse te insinuatat e gjera. Kjo është whataboutism8 i koduar në prozë: çdo shtesë shërben për të rritur temperaturën, jo temperaturën e provës, por të zemërimit.
Ka pastaj një konfuzion të qëllimshëm mes faktit dhe opinionit. “Emision propagandistik”, “huajësim i historisë”, “komplot antishtet”: këto nuk mund të deklarohen pa një zinxhir provash të kontrollueshme. Në mungesë të tyre, mbeten deklarata përfundimtare që kërkojnë t’i imponohen lexuesit me forcën e fjalorit. Një kritikë që fillon me konkluzionin dhe pastaj kërkon shembuj për t’ia përshtatur, nuk është kritikë; është konstruktion.
Çfarë i detyrohemi lexuesit, atëherë?
Qartësinë që i mungon narrativës së Mehmetajt. Po, produkti i Top Channel është i mangët si gazetari: mungesë konteksti, mungesë pyetjesh të forta, mbështetje te pathosi9 dhe udhëtimi vizual, telendisje e kufijve mes dokumentarit dhe travelogue10-ut. Por ta kthesh këtë vlerësim në një seancë publike përçmimi, duke shmangur provën, balancën dhe metodën, do të thotë ta braktisësh gazetarinë dyfish: një herë kur mbron një produkt të dobët, dhe herën e dytë kur e sulmon atë me mjete të gabuara.
E vërteta është se narrativa e Mehmetajt nuk synon sqarimin e publikut për cilësinë e një reportazhi; synon damkosjen e autorëve dhe shënjestrave politike përmes një narrative të përgatitur. Është i shkruar për t’u lexuar si gjyq, jo si analizë; për të mbyllur çështje, jo për t’i hapur pyetjet që në fakt mungonin në produktin e Top Channel, siç edche kam shkruar. Në këtë kuptim, produkti i zt Mehmetaj duhet lexuar siç është: një produkt shpifarak11 me retorikë polemike, jo si gazetari dhe as si kritikë profesionale.
Nëse duam një standard që nuk i shërben as ekraneve të zbukuruara, as zemërimeve të zbrazëta, duhet të kthehemi te tri rregulla të vjetra: provoje, balancoje, sqaroje. Pa këto, fjala humb peshë, opinioni bëhet shkop gome dhe publiku mbetet i painformuar, pikërisht aty ku propaganda fiton terren. Dhe pikërisht për këtë, kur zgjedhim të flasim, nuk mjafton të jemi të ashpër; duhet të jemi të saktë. Qartësia nuk është tonalitet: është moral i mjetit. Narrativa e Mehmetajt nuk e ka këtë qartësi. Dhe kjo, në thelb, është gjithçka që duhet të dimë për ta vendosur në raftin e duhur.
Dymbëdhjetë minutat e dyzetegjashtë sekondat e Lirim Mehmetajt nuk përmbajnë as gazetari, as kritikë profesionale; ato janë një fjalim i rrëmbyer, i mbështetur mbi mllefin e fjalorit dhe jo mbi peshën e provës. Në thelb, ky është shembulli më i qartë pse njerëzit që janë të kualifikuar të bëjnë mjekësi veterinare nuk duhet të përpiqen të kryejnë një operacion në zemër tek njerëzit: mungesa e disiplinës dhe metodës këtu nuk prodhon shërim, por rrezik. Walter Lippmann, një prej mendjeve më të mprehta të gazetarisë amerikane dhe fitues i Pulitzerit, ka shkruar se “gazetaria funksionon vetëm kur e ndan faktin nga opinioni dhe ia ofron publikut të vërtetën e verifikueshme”. Mehmetaj nuk e bën këtë. Ai ngatërron opinionin me faktin, damkosjen me analizën, retorikën me profesionin. Dhe pikërisht për këtë arsye, produkti i tij nuk mund të quhet as kritikë, as gazetari; është vetëm një dëshmi se kur zanati nuk mësohet, diletantizmi shfaqet i zhveshur para publikut.
Mbështetja juaj për ne, është akt rezistence i luftës psikologjike kundër Republikës së Kosovës | ☑ Abonohu | ☑ Dhuro |
Top Channel si Narrator i Rremë i Historisë së Kosovës
Këtë shtator, Kosova hyn në muajin e përvjetorit të dytë të sulmit të Banjës së veriut të Mitrovicës, një plagë ende e hapur dhe një kujtesë e dhunshme e brishtësisë së paqes në Ballkan. Më 24 shtator 2023, një grup i armatosur serb, i udhëhequr nga Milan Radojiçiq dhe i mbështetur nga Beogradi, ndërmori sulmin më serioz mbi sovranitetin e Kosovës që pr…
Top Channel si Narrator i Rremë i Historisë së Kosovës
Top Channel nuk na informoi për sulmet në Banjë, por i maskoi ato. Në vend të gazetarisë, ofroi spektakël sentimental. Kur e vërteta hesht, propaganda flet më qartë se kurrë. Dhe unë nuk e duroj dot. — KB Vëzhgimi Mbi Median.
Një Vit Pas Banjës: Roli i Perëndimit në Përshkallëzimin Ballkanik të Serbisë
Një vit pas sulmeve në Banjë, agresioni i Serbisë dhe lehtësimet e Perëndimit ndaj saj vazhdojnë të destabilizojnë Kosovën, duke ngritur pyetje për sigurinë rajonale dhe përgjegjësitë ndërkombëtare. — KB.
Të dashur lexues, kam vënë re se partia në pushtet po e rrotullon një reportazh të Grida Dumës. A e keni parë ju? Çfarë mendoni, sidomos duke krahasuar me atë që realisht ndodhi në Kosovë, në shtator 2023? A ndihmon ky material publikun shqiptar ta kuptojë të vërtetën, apo e shtrembëron atë? Shkruani mendimet tuaja ju lutem. Përceptimi juaj më duhet për një analizë profesionale që po e përgatis. Faleminderit! — 9 Shtator, 2025 Postim në Facebook për t’i vëzhguar përshtypjet e publikut.
“Duhma e Gridës – Emisioni propagandistik i spikeres nga Shqipëria që shpërfaqi edhe njëherë torollakërinë e Xhelal Sveçlës” — Postimi i Lirim Mehmetajt në Facebook 14, Shtator, 2025.
Pavarësia e Dytë/ Veriu i Kosovës! Top Story pamje ekskluzive në Ujman, Banjskë dhe vila e Radoiçiç — Top Channel.
Toni dhe gjuha (shkelje e etikës së kritikës)
Standardi gazetaresk: Kritika profesionale sulmon tezën dhe metodën, jo personin; ruan gjuhë të matur, saktësi dhe respekt.
Në narrativën e Mehmetajt: Gjejmë përdorim të shpeshtë të epiteteve denigruese dhe tallëse që synojnë figurat, jo përmbajtjen:
“shtëpia e mafies së incineratorëve Top Channel-it”
“model i gaztarisë artificiale”
“Akademisë Qesharake”
“torollakëri e Sveçlës”, “diskurs mediokër”
“shfaqja e turpit të mashtruesve të kombit”
Vlerësimi profesional: Kjo gjuhë e ngarkuar emocionalisht është tipike për artikuj shpifarak dhe jo për kritikë profesionale. Ajo paragjykon dhe prish mundësinë e një debati racional.
“Martele” është një term që vjen nga muzika, ku përdoret për të përshkruar një teknikë të harkimit me tinguj të prerë, të theksuar dhe të fortë, sikur të ishin goditur me çekan. Në letërsi dhe kritikë letrare, ky term përdoret figurativisht për të treguar një stil shkrimi/narrative ku fjala nuk është e butë apo melodike, por e rrahur, e ashpër dhe goditëse. Kur thuhet se një tekst ka fjalor “martele”, kuptohet që autori e përdor gjuhën si mjet të fuqishëm e të prerë, për të krijuar intensitet dhe për të imponuar ndjesi të forta tek lexuesi.
“Whataboutism” është një term që përshkruan një strategji retorike dhe propagandistike, ku dikush shmang kritikën ose pyetjen e drejtpërdrejtë duke e kthyer vëmendjen tek një problem tjetër, shpesh i palidhur, me qëllim që të relativizojë ose të zbusë përgjegjësinë. Në shqip mund të kuptohet si një “po ata çfarë bënë?” ose “po ju, pse nuk flisni për…?”. Shembull: Nëse dikush kritikon korrupsionin në një vend, dhe pala tjetër përgjigjet: “Po në vendin tuaj nuk ka korrupsion?”, kjo është whataboutism. Në vend që të ballafaqohet me çështjen konkrete, përdoret krahasimi ose shmangia për të dobësuar kritikën.
Një shembull i qartë është ky pasazh i zt Mehmetaj:
“Kurrë në jetë nuk e ngriti pyetjen: pse partia e saj arrestonte djalerinë e UÇK-së, rrugëve të Tiranës e maleve të thepisura në pikëkufirin verior?
Kurrë në jetë nuk e shfaqi shqetësimin minimal për gabimin historik, kur idhulli i saj politik, Sali Berisha në shtator të vitit 1995 kërkoi autonomi për Kosovën...”
Këtu Mehmetaj, në vend që të merret drejtpërdrejt me pretendimet ose veprimet e Gridës në produktin e saj televiziv, zt Mehmetaj e zhvendos debatin duke thënë: “Po partia jote çfarë ka bërë në të kaluarën?”. Kjo është whataboutism klasik: relativizon kritikën e tanishme duke hedhur fajin tek një e shkuar tjetër.
Pathosi është një mjet retorik dhe artistik që lidhet me gjenerimin e ndjenjave tek audienca. Ai përfshin përdorimin e gjuhës, imazheve, toneve emocionale ose skenave të zgjedhura që synojnë të prekin emocionet e shikuesit ose lexuesit, si dhembshuria, zemërimi, krenaria apo trishtimi. Në një dokumentar ose tekst analitik, mbështetja te pathosi nënkupton se autori ose regjisori nuk mjaftohet me paraqitjen e fakteve, por kërkon të krijojë një lidhje të drejtpërdrejtë emocionale, duke i bërë përjetimet e temës më të ndjeshme dhe më të afërt për publikun.
Travelogue është një formë rrëfimi që përshkruan udhëtimin e autorit apo protagonistit nëpër vende të ndryshme, duke kombinuar përshkrime të peizazheve, kulturave dhe përvojave personale me elemente rrëfimore vizuale ose tekstuale. Në kontekstin e dokumentarit, kur kufijtë mes dokumentarit dhe travelogue-ut fillojnë të fshihen, kjo do të thotë se rrëfimi nuk mbetet thjesht faktik dhe i strukturuar mbi çështje konkrete, por shndërrohet në një udhëtim vizual e personal, ku shikuesi udhëhiqet më shumë nga përjetimi subjektiv dhe estetik sesa nga analiza kritike ose objektive e ngjarjes.
“Shpifarak” do të thotë një diskurs ose tekst që bazohet në shpifje, pra, në akuza të pavërtetuara, pa prova, të ngritura me qëllim për të denigruar dikë. Një produkt shpifarak nuk ka synim informimin e publikut mbi fakte të verifikuara, por diskreditimin e personit të sulmuar përmes gjuhës fyese, insinuatave dhe akuzave të pambështetura.
Shembuj konkret nga narrativa e Lirim Mehmetajt ku shfaqet shpifja/shpifaraku
Sulm personal pa prova mbi integritetin profesional
“Ajo, pasi dështoi në politikë, vendos të bëhet spikere e shtëpisë së mafies së incineratorëve Top Channel-it…”
Këtu Mehmetaj e etiketoi Gridën si “spikere e mafies” pa sjellë fakte konkrete që ta lidhin personalisht me mafien e inceneratorëve.
Përdorim i gjuhës denigruese për të ulur figurën publike
“…Grida Duma pra, nuk e ndjen Kosovën si çështje themelore në fatin e kombit por si çështje transaksionesh financiare dhe biznes algoritmash për zgjerimin e famës saj.”
Në vend të argumenteve, kemi një gjykim moral absolut që e portretizon Dumën si të pavlerë dhe të shtyrë vetëm nga interesa financiare.
Akuza të paargumentuara për mashtrim publik
“…bashkëbiseda e dështuar, hileqare, me qëllim të keqe propagandistike, e Svecles e Dumes nuk është asgjë tjetër, vetëm një episod tjetër në shfaqjen e turpit të mashtruesve të kombit…”
Ky pasazh e akuzon Dumën si mashtruese të kombit pa ndonjë provë faktike, duke përdorur një gjuhë që synon të ndezë emocione dhe jo të mbështesë fakte.
Denigrim i skajshëm përmes ironisë fyese
“…trajnimet e shpifura motivuese, kur gjoja ajo i mëson nevojtarët e gjorë që s'marrin gjë vesh nga jeta për artin e t’jetuarit.”
Këtu kemi jo kritikë profesionale, por gjuhë përqeshëse dhe poshtëruese, e cila ul publikisht jo vetëm Dumën, por edhe pjesëmarrësit në aktivitetet e saj.