Kur Tirana Harron Kosovën: Hapi i Gabuar i Shqipërisë me Grenellin
Në përvjetorin e Banjës, Spiropali pozoi me Grenellin, një figurë pro-Beogradit, kundër Prishtinës. Një gjest i vetëdijshëm që sinjalizoi përafrimin e Tiranës me narrativat serbe.
Më 25 shtator 2025, ministrja e re e jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, publikoi nga Nju Jorku një foto buzëqeshëse1: “Një takim i shkëlqyer dje me të dërguarin special të presidentit Trump për misione speciale, Richard Grenell,” shkroi ajo, duke shoqëruar postimin me #UNGA80 dhe duke lavdëruar “forcimin” e marrëdhënieve Shqipëri 🇦🇱–🇺🇸 SHBA.
Në pamje të parë, dukej si një moment i zakonshëm protokollar. Por fotografia e ngrohtë me Grenellin, e publikuar pikërisht në përvjetorin e dytë të sulmit të Banjsës në Kosovën veriore, mbante një domethënie tjetër: Ishte një zgjedhje e qëllimshme për të dalë në krah të një figure që ka ndërtuar karrierën e tij politike duke u afruar me Beogradin, duke sulmuar Prishtinën dhe duke u lidhur me nacionalistët e rajonit. Kjo pamje nuk ishte rastësi; ishte një sinjal i qartë.
Po të ishte një gabim i vetëm, kjo histori do të shuhej shpejt. Por nuk është. Në vijimësi, politika e jashtme e Shqipërisë nën Edi Ramën ka kaluar nga një paqartësi strategjike në një përafrim të dukshëm me Beogradin, një përafrim që sot nuk mund të ndahet nga interesat e Kremlinit në Ballkanin Perëndimor. Pasojat nuk janë abstrakte: ato matin peshën në emrin e policit kosovar të vrarë, Afrim Bunjaku, dhe në lirinë që e gëzon sot Milan Radoiçiqi, organizatori i sulmit në Banjë, i cili shëtit i paprekur në Serbi.
Kjo nuk është sjellja e një shteti që vepron si aleati natyror i Kosovës. Është një sjellje që, hap pas hapi, ka zgjedhur t’i shërbejë interesave të Serbisë. Dhe kjo është ta themi qartë mënyra si një vend i NATO-s përfundon duke ndihmuar strategjinë e Kremlinit pa ngritur asnjë flamur rus.



Çfarë ndodhi në Banjë dhe pse kjo datë ka rëndësi?
Më 24 shtator 20232, dhjetëra parushtarakë serbë ngritën pritë ndaj policisë së Kosovës pranë Banjës, vranë rreshterin Bunjaku dhe u barrikaduan në një manastir. Plani ishte i qartë: koordinim, logjistikë përtej kufirit, mbrojtje politike. Dy vite më pas, Kosova ka ngritur akuza ndaj 45 personave3. Serbia s’ka ekstraduar askënd. Radoiçiqi, që pranoi publikisht rolin e tij, u mbajt një ditë në paraburgim e më pas doli i lirë. BE-ja dhe Britania flasin për “llogari të papërmbushura”; Beogradi fiton kohë. Ky ishte sfondi i përqafimit të Spiropalit me Grenellin: jo një ditë e zakonshme, por një përvjetor i një drejtësie të mohuar.
Problemi Grenell sipas fakteve, jo thashethemeve
Richard Grenell nuk është figurë neutrale në marrëdhëniet Kosovë–Serbi4. Në shkurt 2025, gazeta gjermane FAZ5 raportoi se ai kishte nxitur kosovarët të votonin kundër Albin Kurtit, një ndërhyrje e hapur në procesin zgjedhor të një shteti tjetër. Në vitin 2020, eurodeputetët e kishin përmendur në raportet mbi dezinformimin në Ballkan: avokim, presion dhe spektakël të konsensusit të rremë.
Hulumtimet e ProPublica6-s dhe Washington Post7-it zbuluan pagesa të padeklaruara me shifra gjashtëshifrore nga oligarkë të huaj dhe lidhje me një fondacion të financuar gati tërësisht nga qeveria e Viktor Orbánit. Në vitin 2023, Beogradi e dekoroi Grenellin8 me urdhrin më të lartë shtetëror. Ky është njeriu të cilit ministrja e jashtme e Shqipërisë i dhuroi platformë dhe buzëqeshje publike.
Kronologjia e një kthese të gjatë të Tiranës
2018–2019: Mini-Shengen / Open Balkan: Rama e promovon së bashku me Vuçiqin, duke anashkaluar Kosovën. Ekonomia mbi sovranitetin; Prishtina mësoi se vetoja e saj mund të injorohej.
2023: Sulmet në Banjë: Pas një sulmi paraushtarak, Tirana flet për “qetësi” dhe “dialog”, jo për agresion dhe ekstradime.
2023: Drafti për Asociacionin: Rama prezanton propozimin e tij për komunat me shumicë serbe, duke e shtyrë Kosovën në një terren të minuar kushtetues nga shteti amë.
2023: Emërimi i Vlorë Hysenit: E shkarkuar më parë nga shërbimi i inteligjencës së Kosovës si e dyshuar për tregëtimin e sekreteve shtetërore me elemente armiqësorë, Tirana e kishte emëruar drejtuese e SHISH-it në Tiranë9. Në çdo kryeqytet të BE-së do të shpërthente skandal; në Shqipëri kaloi pa zhurmë.
2024–2025: Përkëdhelja e vazhdueshme ndaj Beogradit: Serbia shtyn proceset, armatoset, blen kohë; Tirana shfaqet si “ndërmjetës” rajonal por pa cënuar kurrë vijën e Vuçiqit.
Shtator 2025: Përqafimi i Grenellit: Një javë në detyrë, Spiropali vendos të shfaqet me të dekoruarin e Serbisë. Dhe në sfond, i pranishëm por i pathënë, Marko Gjuriç, ministër i jashtëm i Serbisë dhe përhapës i narrativave të rreme për “spastrime etnike” në Kosovë. Heshtja e përbashkët nuk duket aksidentale.
Kur grumbullimi bëhet vijë politike
Një takim nuk përcakton politikën e jashtme; por një dekadë veprimesh po.
Shqipëria ka krijuar një model:
Zëvendësimi i sovranitetit me stabilitet.
Anulimi i takimeve të përbashkëta qeveritare.
Procesi mbi llogaridhënien pa kushte për Serbinë.
Normalizimi i presionit mbi institucionet e Kosovës në favor të Serbisë.
Bastet reputacionale mbi aktorë të diskredituar si Grenell.
Ky model, me ose pa flamur rus, e ndihmon Kremlinin: paralizon, destabilizon dhe e dobëson ndikimin perëndimor.
Treshja Grenell–Beograd–Tiranë
Beogradi: shmang ndëshkimin për Banjën, shton presionin mbi Kosovën, mbledh armë dhe gaz nga Lindja.
Grenelli: disiplinon retorikisht Prishtinën, predikon kundër Kurtit, kultivon Vuçiqin.
Tirana: legjitimon mesazherin, merr koston reputacionale dhe i shet Perëndimit këtë si “angazhim diplomatik.”
Një ndarje rolesh që i shërben vetëm Kremlinit.
Pse ky kurs është i gabuar?
Shqipëria ka tri detyrime të veçanta:
Ndaj Kosovës: Tirana nuk është thjesht fqiu ynë, është shteti amë në gjuhë, në gjak e histori. Neutraliteti i Tiranës pas Banjës nuk ishte pjekuri, por devijim moral.
Si anëtare e NATOs: E di ç’do të thotë presion hibrid dhe paprekshmëri e paraushtarakëve? Detyra e Tiranës nuk është t’i zbusë këto me fotografi, por ta përforcojë kushtëzimin ndaj Serbisë.
Si aspirante e BE-së: Emërimi i një ish-zyrtareje të shkarkuar nga shërbimi i inteligjencës së një shteti fqinj nuk është standard evropian, por precedent i rrezikshëm.
Dhe së fundmi: Platformimi i Grenellit nuk është gjest i padëmshëm. Është zgjedhje që dërgon sinjale të qarta dhe të gabuara.
Çfarë duhet të bëjë politika shqiptare tani?
Një vijë e kuqe për Banjën: Asnjë teatër politik me njerëzit e Beogradit pa filluar ekstradimet dhe ndjekjet penale të autorëve të sulmit.
Rindërtim besimi me Kosovën: Dialog transparent për sigurinë, inteligjencën dhe mbrojtjen nga dezinformimi.
Fund koreografisë së përkëdheljes: Integrimi rajonal duhet të kushtëzohet me hapa të matshëm nga Serbia: shkëputje nga Gazpromi, bashkëpunim me drejtësinë kosovare, ndalim të luftës mediatike kundër Prishtinës.
Opozita dhe shoqëria civile shqiptare duhet ta quajnë këtë me emër: kapje politike. “Realizëm” është fjalor i kapur. Balanca që anon, dialogu që shtyn, procesi që e paralizon Kosovën të gjitha janë fjalë për një gjendje të vetme: dorëzim përballë Beogradit të bashkërenduar me Moskën.
Fotografia në Nju Jork ishte e vogël. Por çfarë zbulon ajo, është e madhe: një vijë të tërhequr me ngulm drejt një përafrimi të rrezikshëm me Beogradin moskovit.
Shqipëria ka ende mundësi ta shkruajë një histori tjetër: një që e trajton sigurinë e Kosovës si të vetën, që kërkon llogari nga Beogradi dhe që nuk e ngatërron optikën e bukur me shtetbërjen e përgjegjshme. Deri atëherë, Kremlini fiton me metodën më të vjetër ballkanike, dhe pa ardhur fare, merr atë që i duhet.
Dy vjet pas Banjës, kufiri i padukshëm i Evropës
Dy vjet pas sulmit në Banjë, mësimi për Evropën nuk është thjesht për një përleshje të armatosur në një fshat të veriut të Kosovës. Është për gjeografinë, zgjedhjet dhe qartësinë. Ukraina është vija e parë e zgjerimit brutal të Rusisë drejt lindjes; Kosova është vijë e parë e infiltrimit të saj drejt perëndimit. Të injorosh këtë është ta përsërisësh ver…
Një Vit Pas Banjës: Roli i Perëndimit në Përshkallëzimin Ballkanik të Serbisë
Një vit pas sulmeve në Banjë, agresioni i Serbisë dhe lehtësimet e Perëndimit ndaj saj vazhdojnë të destabilizojnë Kosovën, duke ngritur pyetje për sigurinë rajonale dhe përgjegjësitë ndërkombëtare. ‚ KB Analizë.
Grenell dhe Pushteti që Nuk Kthehet Më
I dëbuar me turp nga Gjermania, i përjashtuar si i pabesueshëm nga inteligjenca amerikane, i nderuar nga Serbia dhe tani i degraduar në një teatër pa ndikim, pa relevancë dhe pa të ardhme. KB Politikë.
Richard Grenell did not disclose payments for advocacy work on behalf of a Moldovan politician whom the U.S. later accused of corruption. — ProPublica.
Richard Grenell’s paid consulting included work for U.S. nonprofit funded mostly by Hungary - Washington Post.
Grenelli is honored in Serbia by Vuçiqi, mentions Hashim Thaçi — KOHA Ditore.
Vucic presents Richard Grenell with Order of the Serbian Flag, 1st class: You are a friend of Serbia — Telegraf.rs
Agjentja që nuk u verifikua kurrë
Agjentja e shkarkuar Kosovare tani drejton SHiSH-in, duke ndezur frikë për besnikërinë dhe ndikimin e huaj. Derisa Edi Rama hyn në mandatin e tij të katërt, a e ka zëvendësuar shteti në hije atë real? — KB Hulumtime.