Lufta Cinike e Edi Ramës Kundër të Vërtetës dhe Drejtësisë në Kosovë
Rama, arkitekti i gjykatës së krimeve në Kosovë, tani e sulmon atë për t'i mbrojtur aleatët, duke e tradhtuar drejtësinë, sovranitetin dhe viktimat që politika e tij shkel me këmbë.
Ndërsa hijet e trashëgimisë së luftës përhapeshin në rrugët e Prishtinës, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i njëjti njeri që dikur zbriti në kryeqytetin e Kosovës me helikopter1 për të detyruar Kuvendin e Kosovës të krijonte Dhomat e Specializuara në Hagë, këtë javë u shfaq si mbrojtës i papritur i atyre që sot janë të akuzuar nga institucioni që ai vetë ndihmoi të themelohej.
Thirrja e tij e fundit, që parlamentet e Shqipërisë dhe Kosovës të dënojnë së bashku këtë gjykatë, nuk është thjesht hipokrizi; është një përmbysje e stilit të pistë ndaj të vërtetës, një tradhti e llogaritur ndaj drejtësisë dhe një manovër cinike e një njeriu që prej vitesh ka tregtuar pandëshkueshmërinë nën petkun e patriotizmit.



Në vitin 2015, Rama nuk ishte thjesht prezent, ai ishte vendimtar. Pamjet që qarkullojnë ende online e tregojnë duke mbërritur në Prishtinë me helikopter, një gjest po aq teatral sa edhe domethënës. Misioni i tij, i veshur me gjuhën e “bashkëpunimit”, kishte një qëllim të qartë: të siguronte votën për një gjykatë që do të kënaqte kërkesat ndërkombëtare për drejtësi pas raportit tronditës të Këshillit të Evropës të hartuar nga Dick Marty2. Atëherë, Rama u rreshtua krah diplomatëve perëndimorë, duke shfrytëzuar afërsinë me Hashim Thaçin për të siguruar miratimin parlamentar të një gjykate që do të hetonte krimet e pretenduara të ish-krerëve politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kryesisht ndaj pakicave etnike dhe rivalëve politikë shqiptarë.
Por, kur drejtësia mori rrugë dhe aktakuzat ranë mbi shpatullat e aleatit të tij më të ngushtë Hashim Thaçi3, një partner në një projekt gjeopolitik për ndarjen e territorit të Kosovës dhe dhënien e veriut Serbisë4, besnikëria e Ramës ndaj drejtësisë ndryshoi. Në një performancë akrobatike që do ta kishte zili çdo distopi Orvelliane, njeriu që ia shiti gjykatën Kosovës tani e quan atë farsë, padrejtësi dhe imponim të huaj. Në një reagim emocional në Facebook5, Rama e portretizoi Thaçin dhe të bashkëakuzuarit si martirë të një gjykate të paligjshme, të cilëve u janë “shkelur të drejtat sikur të mos ishin gjë.”
Rama nuk vuan nga ndryshimi i mendjes. Ai vuan nga humbja e kontrollit.
Prej vitesh, ai e ka paraqitur veten si modernizuesin e Ballkanit, si urën drejt BE-së, si poetin-kryeministër i cili lundron në realitetet e pasluftës6. Por në të vërtetë, ai është një operator i stërvitur në gjuhën e dyfytyrësisë diplomatike dhe mjeshtër në nacionalizmin transaksional. Mbështetja për gjykatën nuk ishte kurrë për drejtësinë; ishte për ndikim politik. Dhe kur gjykata u kthye kundër projektit të tij politik, që përfshinte jo vetëm Thaçin7 por edhe planin e dështuar për ndarjen etnike të Kosovës me bekimin e Beogradit dhe kalkulimeve të ftohta të Washingtonit, Rama e hodhi tutje idealin e llogaridhënies si një pasaportë diplomatike të skaduar.
Ajo që Rama kërkon sot nuk është drejtësia për Kosovën. Është amnistia për veten, për aleatët e tij dhe për një vizion pushteti të ngritur mbi varret e civilëve të Kosovës8.
Të Mos harrojmë: në vitin 2020, ai e mbështeti në heshtje propozimin për shkëmbim territoresh9, një ofertë groteske për t’ia dhënë veriun e Kosovës Serbisë në këmbim të një “paqje” imagjinare që vetëm në pikturat e pakuptimta e të përshkllira të Ramës mund të gjindet. Po ai ishte që, pas sulmit paramushtarak serb të shtatorit 2023 ku u vra polici Afrim Bunjaku10, në vend që të mbronte integritetin territorial të Kosovës, propozoi një konferencë paqeje ndërkombëtare, sikur sovraniteti të ishte çështje negocimi dhe Prishtina të duhej të përshtatej me “realitetin e ri në terren.”
Burime të besueshme, të njohura me zhvillimet e sigurisë në Londër, thonë se Rama kishte dijeni të hershme për planet e Serbisë për një aneksim në stilin e aneksimit rus të Krimesë në veriun e Kosovës. Sjellja e tij më 24 shtator 2023 e tradhtoi këtë njohuri: ndërsa policia e Kosovës rezistonte dhe ndalonte paraushtarakët e mbështetur dhe orkestruar nga Serbia, Rama bënte thirrje që Kosova të pranonte humbjen dhe t’ia dorëzonte gjeografisë atë që Serbia nuk e fitoi me armë. Kur sulmi dështoi, ai heshti, si një zëdhënës i humbur në mikrofonat e Beogradit, atij i ishte prishur skenari nga një akt guximi i papritur që shkrepte burrëri nga tytat e armëve të djemve dhe vajzave të Kosovës përball agresorëve të Beogradit në kodrinat e Banjës së veriut të Mitrovicës.
Sot, në 2025, ai rikthehet me një maskë të re, duke e mbështjellë tradhtinë me flamur, duke u thirrur në liri ndërsa përpiqet ta shkatërroj drejtësinë. Gjykata nuk i shërben më. Provat që ka ajo, përfshirë dokumente nga institucionet shtetërore serbe11, të pranuara ligjërisht sipas ligjeve të Kosovës të instaluara nga vetë Hashim Thaçi12 dhe mbështetura nga vetë Rama, janë bërë kërcënim për mitin që ai ndihmoi të ndërtohej: se çlirimi nuk mund të vihet kurrë në pikëpyetje dhe se ata që luftuan për liri janë përtej çdo gjykimi.
Por e vërteta është më e ndërlikuar. Gjykata është krijuar nga Kosova, jo e imponuar nga jashtë13. Mandati i saj buron nga ligji i miratuar nga një parlament sovran, ligj për të cilin Rama vetë bëri presion14. Kuadri ligjor lejon pranimin e provave nga çdo shtet, përfshirë Serbinë. Pranimi i provës nuk do të thotë fajësi. Është trupi gjykues, jo politikanët dhe as oratorët nacionalistë shumëngjyrësh sikur Rama, që do të vendosë për vlefshmërinë e saj. Ky është themeli i procesit të rregullt ligjor. Rama e di këtë. Thjesht nuk i intereson më.
Tani ai nuk kërkon drejtësi, por kontroll të dëmit. Pasi humbi narrativën, përpiqet ta rimarrë duke pozuar si mbrojtës i dinjitetit të Kosovës. Por e kaluara e tradhton. Nga përqafimi i nismës “Ballkani i Hapur” duke përjashtuar Kosovën15, te emërimi në krye të SHISH-it të një ish-zyrtare të inteligjencës kosovare të shkarkuar mes akuzave për të dhëna të komprometuara dhe lidhje me Serbinë16, Rama ka minuar vazhdimisht institucionet e Kosovës17, ndërsa shfaqet si lider rajonal për audiencat perëndimore të shpërqendruara ose të përfshira në kompromis.
Ai nuk është burrë shteti. Ai është një rrezik.
Kthesa e tij nga përforcues në sabotues të Dhomave të Specializuara nuk është evolucion moral, por kalkulim politik. Teksa muret mbyllen mbi aleatët e tij dhe kujtesa publike shkurtohet nga dita në ditë, Rama kërkon të pozicionohet sërish: si shpëtimtar i heronjve, si flamurtar i një çlirimi të “tradhtuar” nga ligji. Por motivet e tij janë po aq të tejdukshme sa edhe të rrezikshme.
Pranimi i retorikës së Ramës do të thotë të fshish viktimat, të shndërrosh drejtësinë në nostalgji, të legjitimosh pandëshkueshmërinë si patriotizëm dhe të kthesh kërkimin për të vërtetën në spektakël mohimi. Në një rajon që ende shërohet nga lufta dhe ka kujtesë institucionale të brishtë, ky akt nuk është thjesht rishkrim historie, është sabotim.
Sfida e Kosovës nuk është vetëm ndjekja penale e krimeve të luftës, por mbrojtja e legjitimitetit të këtij procesi. Dhomat e Specializuara me gjithë të metat e tyre, mbeten një provë nëse drejtësia në Ballkan mund të shkojë përtej besnikërive të entiteteve kriminale që fshihen prapa politikës ditore18. Rama, duke i vënë zjarrin gjykatës që vetë ndihmoi të krijohej, sinjalizon se për të, kjo kurrë nuk ka qenë e mundur.
Pyetja nuk është nëse Edi Rama është i sinqertë.
Faktet janë të qarta: ai nuk është.
Pyetja është sa gjatë komuniteti ndërkombëtar dhe populli i Shqipërisë e i Kosovës do ta lejojnë atë ta ç’armatosë kujtesën, ta rrënojë llogaridhënien dhe të rrezikojë të ardhmen për hir të së shkuarës së tij.
Drejtësia nuk është flamur. Është një vendim gjyqësor. Dhe Edi Rama është i akuzuar nga kontradiktat e veta.
Prandaj ju zt Edi Rama, ju nuk jeni duke e mbrojtur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, ju po e mbroni Hashim Thaçin19, njeriun që e përdori emrin e UÇK-së si mbulesë për grabitje, zhvatje dhe për të rikthyer ndikimin serb në Kosovë. UÇK-ja e vërtetë ishin djemtë dhe vajzat që luftuan e ranë për lirinë, jo bandat që Thaçi i mblodhi rreth vetes pas luftës, për ta kthyer Kosovën në pronë private, për t’i shuar kundërshtarët politikë dhe për ta bërë të gatshme për pazare territoriale me Beogradin20. Ti e di këtë më mirë se kushdo, sepse nuk po qan për drejtësinë, por për humbjen e aleatit tënd të vetëm, të vetmit njeri në Prishtinë që mund ta shiste Kosovën në tavolinë bashkë me ty.
Në Hagë sot nuk gjykohen idealet e UÇK-së, por krimet e atyre që përdorën flamurin për të vrarë shqiptarë, për të vrarë mendimin e lirë, për të vrarë guximin qytetar. Lista e gjatë e të vrarëve është dëshmi e kësaj: gazetarë si Ali Uka21 e Bardhyl Ajeti, politikanë si Xhemail Mustafa e Enver Maloku, aktivistë si Astrit Dehari etj, të gjithë të shuar jo nga plumbat serbë, por nga dora e errët e një regjimi të instaluar mbi gjakun e luftës. Dhe ti sot, me fjalët e tua, po rreshtohesh përkrah atij regjimi. Po tenton ta paketosh mbrojtjen e Thaçit si mbrojtje e UÇK-së, duke u tallur me çdo nënë që ka humbur birin për lirinë, me çdo shqiptar që e di se UÇK-ja nuk ishte pronë private e një klani kriminal.
Ti nuk po proteston për dokumentet e fabrikuara nga Beogradi sepse ato nuk të prishin punë ty në të vërtetë, ti e ke ndërtuar karrierën tënde mbi pazaret me Beogradin. Nuk ke thirrur asnjë seancë në OKB, nuk e ke ngrirë asnjë marrëdhënie diplomatike me Serbinë, nuk ke hapur asnjë padi ndërkombëtare. Ke gjetur energji të shkruash draftin e “Zajednicës” për 4% serbë në Kosovë22, por nuk ke gjetur dot një fjali për ata që dhanë gjithçka për 96% të tjerëve. Sepse ti nuk sheh komb, sheh mundësi, dhe Thaçi ka qenë mundësia jote e vetme për ta kthyer Kosovën në monedhë shkëmbimi.
Ti nuk je i heshtur nga mosdija, je i heshtur nga interesi yt. Dhe heshtja jote është pjesë e zinxhirit që nga vrasja e Ali Ukës më 29 korrik 1997, te ekzekutimi i Beajdin Hallaqit më 29 qershor 1998, tek pushkatimi politik i Haki Ymerit e Xhemail Mustafës, tek vrasja e Astrit Deharit në çelinë e burgut të tij në Prizren. Secili emër në këtë listë është thikë mbi narrativën tënde të rreme. Ata u vranë jo nga Serbia, por nga të tillët që ti sot i quan “heronj” për ta mbrojtur Thaçin. Dhe ti, Edi Rama, e di shumë mirë, prandaj të djeg kaq shumë kur përmendet e vërteta.
Drejtësia nuk është status në Facebook. Është akt gjykimi.
Ti nuk po e sfidon gjykatën sepse është e padrejtë, po e sfidon sepse po prek rrjetin tënd politik, sepse po e zbërthen mitin e rremë që ti dhe Thaçi e keni shitur: se liria dhe ligji janë të papajtueshme. Në fakt, është e kundërta, dhe ti je provë e gjallë e kësaj. Një kryeministër që hesht për viktimat e kombit të vet, por flet me pasion vetëm për aleatin e tij të kapur, nuk është lider, por ortak në krim. Dhe ortakët në krim, kur koha e drejtësisë vjen, nuk i shpëton as retorika, as flamuri, as arroganca. Historia të pret, zt Rama, dhe këtë herë nuk do jesh ti ai që shkruan versionin e saj.
Flamuri që Edi Rama nuk e do më
Në një prej atyre mbrëmjeve që historia i ruan për të shënuar kapërcyellin mes dinjitetit dhe turpit, në zemër të Tiranës, në stadiumin kombëtar që mban emrin “Air Albania,” një emër i huazuar si për të maskuar zbrazëtinë e moralit të kohëve të fundit, ndodhi një skenë që as shkrimtaria më therrëse e këtij kombi nuk do ta kishte imagjinuar. Në ndeshjen …
Gjykata Speciale për krimet e luftës, kërcënimet e fundit të ISIS-it në Kosovë dhe koordinimi për Samitin e Vjenës, ishin tri temat për të cilat kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, udhëtoi në Prishtinë me helikopter për t’u takuar me homologun e tij Isa Mustafa dhe zëvendëskryeministrin Hashim Thaçi. — Telegrafi.
VIDEO/ Kur Rama shkonte në Prishtinë me helikopter, për të bërë presion për votimin e Gjykatës Speciale — SYRI TV.
Inhuman treatment of people and illicit trafficking in human organs in Kosovo — Council of Europe.
Land Swap Idea Resurfaces to Haunt Serbia-Kosovo Talks
In recent months, disputes between the US and EU on Kosovo have sharpened, inflamed by claims that US President Donald Trump’s special envoy on the Serbia-Kosovo dispute, Richard Grenell, helped topple the last Kosovo government, led by Albin Kurti, mainly because it vociferously opposed a land swap. — Balkan Insight.
Shteti i Mafias: Si Rrezikohet e Ardhmja e Shqipërisë nga Regjimi i Korruptuar dhe Bashkëpunimi Ndërkombëtar ?
Shqipëria po shndërrohet në një shtet mafioz nën Edi Ramën, ndërsa bashkësia ndërkombëtare normalizon korrupsionin, minon demokracinë dhe fuqizon krimin e organizuar në vend. — KB Hulumtime.
Vrasjet Politike në Kosovë nën vëzhgimin e Thaçit nisën në vitin 1997 — Facebook Post.
Land Swap Idea Resurfaces to Haunt Serbia-Kosovo Talks
In recent months, disputes between the US and EU on Kosovo have sharpened, inflamed by claims that US President Donald Trump’s special envoy on the Serbia-Kosovo dispute, Richard Grenell, helped topple the last Kosovo government, led by Albin Kurti, mainly because it vociferously opposed a land swap. — Balkan Insight.
Aldo Bumçi: Rama and Vucic supported the separation of Kosovo — Euro News.
Haradinaj: “Rama and Thaci support Kosovo’s territorial exchange with Serbia” — Top Channel.
Carl Bildt says that Edi Rama supports the exchange of territories between Kosovo and Serbia — KOHA Ditore.
Një Vit Pas Banjës: Roli i Perëndimit në Përshkallëzimin Ballkanik të Serbisë
Një vit pas sulmeve në Banjë, agresioni i Serbisë dhe lehtësimet e Perëndimit ndaj saj vazhdojnë të destabilizojnë Kosovën, duke ngritur pyetje për sigurinë rajonale dhe përgjegjësitë ndërkombëtare. — KB.
Gjykata Speciale ndez polemika në Kosovë: Pranon prova nga Serbia
Pranimi i provave të Serbisë nga Gjykata Speciale në Hagë ndez debat të ashpër në Kosovë, ringjall trauma të luftës, tension politik dhe sfida për drejtësinë tranzicionale. — KB.
Çfarë Lejon Ligji?
Megjithatë, përtej retorikës politike, ligji i miratuar nga Kuvendi i Kosovës që rregullon funksionimin e Gjykatës Speciale, në nenin 55 të Kapitullit VIII, parashikon qartë. — Lexo më shumë KB.
Gjykata që Kosova nuk e donte, por e krijoi vetë.
Si u themelua Dhoma e Specializuar nën presion politik dhe hezitim kombëtar? — KB.
LIGJI Nr. 05/L-053 PËR DHOMAT E SPECIALIZUARA DHE ZYRËN E PROKURORIT TË SPECIALIZUAR — Kuvendi i Republikës së Kosovës, Gazeta Zyrtare.
What is (or was) Open Balkan? — Kosovo 2.0 Magazine.
Agjentja që nuk u verifikua kurrë
Agjentja e shkarkuar Kosovare tani drejton SHiSH-in, duke ndezur frikë për besnikërinë dhe ndikimin e huaj. Derisa Edi Rama hyn në mandatin e tij të katërt, a e ka zëvendësuar shteti në hije atë real? — Kronikat e një Hetimi KB.
Flamuri që Edi Rama nuk e do më
Të përulesh para Grenellit, e pastaj të qash për flamurin e UÇK-së në Tiranë? Mëkat i dyfishtë. Turp. Njollë e pashlyeshme. — Kronikat e Politikës.
Shqipëria e Edi Ramës: Progres apo Plaçkitje?
Udhëheqja e Edi Ramës është një fasadë progresi, që fsheh shkatërrimin mjedisor, klientelizmin dhe korrupsionin, duke e shitur të ardhmen e Shqipërisë për investime të huaja afatshkurtra. — Kronikat e një Hetimi.
Fjalët e një Shtetvrasësi
Intervista nuk ishte zë i një burri të burgosur, por ulërima e një krimineli nga një perandori e kalbur që kërkon të ringjallet përmes mashtrimit. — Kronikat e Politikës.
CRISIS IN THE BALKANS: THE SEPARATISTS; Leaders of Kosovo Rebels Tied to Deadly Power Play — NYTimes.
Albanian PM Edi Rama has presented a proposal to France and Germany for the establishment of Kosovo’s Association of Serb-Majority Municipalities in a bid to break the deadlock between Pristina and Belgrade on the issue. — Balkan Insight.